PD: Krimi dhe korrupsioni i Veliajt me Sharrën, nesër nis aksioni qytetar

28/08/2016 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, deklaroi se nesër ne do të nisin një aksion qytetar për të ngritur zërin, për të mos lejuar Erion Veliajn që të mbyllë “krimin e rëndë” në Sharrë.

“Faktet e zbuluara e nxjerrin Erion Veliajn drejtpërdrejt përgjegjës për vdekjen e Arditit në landfillin e sharrës. Një landfill i kthyer në një ferr paligjshmërie dhe njëkohësisht në parajsë financiare për Veliajn. Erion Veliaj garantoi punë të sigurtë e brenda legjislacionit, dhe u bëri thirrje publike qytetarëve të paraqiteshin në landfillin e tij. Doli se aty u shfrytëzuan edhe fëmijë 10 vjec, u shfrytëzuan dhe shfrytëzohen burra e gra e të rinj, me tre turne, të pasiguruar e pa asnjë kusht teknik, ndërkohë që Veliaj dhe partneri i tij në arrati, kryetari socialist i Peqinit që mbrohet nga Edi Rama, fitojnë deri në 50 milionë lekë në ditë. Sipas akteve që ka kaluar në Këshill Bashkiak, në aferën e tij për mbetjet në Tiranë, Veliaj vetë është i ngarkuar të caktojë administratorin e impiantit të Sharrës, pra ishte ai përgjegjës për sigurinë në punë, për zbatimin e normave të Kodit të Punës”, deklaroi Salianji.

“I kapur në këtë krim e në këtë aferë korruptive, Erion Veliaj po bën gjithçka për të mbyllur çështjen dhe po mbyll edhe gojën e disa mediave dhe televizioneve kombëtare në vend. Po ushtron çdo presion të mundshëm për të mos lejuar hetim. Çdo qytetar pyet sot me të drejtë, përse Erion Veliaj nuk merret në ndjekje penale? Përse ligji nuk funksionion në këtë rast mbi kryebashkiakun e Edi Ramës? Përse paska imunitet Erion Veliaj kur kapet në krim e në korrupsion? Kjo është një padrejtësi e madhe që nuk ka të bëjë vetëm me Arditin e familjarët e tij, por që prek çdo qytetar. Partia Demokratike është e vendosur të kërkojë deri në fund drejtësi, hetim të plotë e zbardhje të ngjarjes. Nesër ne do të nisim një aksion qytetar, për të ngritur zërin, për të mos lejuar Erion Veliajn që të mbyllë këtë krim të rëndë. Çdo qytetar i Tiranës që është me ligjin, që është për barazi para ligjit, që kërkon hetim dhe drejtësi për humbjen e një jete të pafajshme, për faj dhe përgjegjësi të Erion Veliajt e korrupsionit të tij, është i ftuar të bëhet pjesë e këtij aksioni. Për Arditin, për drejtësinë, për ligjin”, shtoi Salianji.

Top Channel