Kryeministri Rama udhëton sot në Athinë, pritet takimi ‘kokë më kokë’ me Mitsotakis, ja çfarë do diskutohet mes dy liderëve Misioni Euralius nuk ka vendosur vija të kuqe në përkufizimet teknike për ligjin e vetingut, por disa vija të kuqe i ka hequr, kur ka vlerësuar parimet për kryerjen e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Këto parime janë 4 dhe kanë të bëjnë me afatet, institucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe rolin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Nga mënyra sesi ato do të reflektohen në ligjin e vetingut, do të varen edhe fondet e Bashkimit Europian për ngritjen e strukturave të kushtetueshme të vetingut. Kjo thuhet qartë nga shefi i Misionit Euralius, kur bën vlerësimin me shkrim rreth opinionit me 55 faqe të Partisë Demokratike.
“Komisioni i Bashkimit Europian më kërkoi që të vë në dukje se këto parime janë vendimtare për angazhimin e Bashkimit Evropian në procesin e ri-vlerësimit duke mobilizuar miliona euro të fondeve të taksapaguesve të Bashkimit Europian”, thorë Rainer Deville, drejtuesi i Misionit Euralius.
Këto parime Euralius i publikoi të mërkurën në faqen e vet në “Facebook”, menjëherë pas mbledhjes së komisionit të posaçëm për drejtësinë, por postimi u hoq, pas një ankese të demokratëve pranë Komisionit Europian. Postimi i hequr vinte në dukje ndryshimin mes Misionit Euralius dhe Partisë Demokratike për mënyrën sesi duhet të përkthehen në ligj 4 parimet që procesi i vetingut të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin e publikut te drejtësia. Të njëjtin lexim i bëri edhe kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi.
“Kjo është e ndryshme nga ajo që ka pretenduar PD-ja. Është reflektuar në qëndrimin që është mbajtur dhe besoj se edhe PD-ja do ta kuptojë që është një gjë që duhet mbajtur në këtë mënyrë në konsideratë”, shprehet Xhafaj.
Ligji i vetingut konsiderohet si ligji më i vështirë dhe me delikat i reformës në drejtësi dhe, mesa duket, ai do të vendosë në provë sërish vullnetet politike për zbatimin e reformës në drejtësi.
Top Channel