Siri, me dhjetëra civilë të vrarë nga luftimet në Aleppo

14/08/2016 00:00

Të paktën 51 civilë kanë mbetur të vrarë, si pasojë e bombardimeve të palëve ndërluftuese në qytetin sirian të Aleppos.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, bazuar në dëshmitë e aktivistëve të tij në terren, bëri me dije se luftimet vazhdojnë të ashpra në Aleppo, në një fushëbetejë që ndryshon në çdo çast, dhe se ata më në rrezik janë civilët.

Mësohet se, gjatë sulmeve të ushtrisë në lagjet lindore të qytetit, që kontrollohen nga rebelët, u vranë 15 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, si dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Predhat goditën ashpër lagjet “Al Fardus”, “Sheij Faris” dhe “Sheij Jader”. Nuk kanë qëndruar duarkryq as rebelët, të cilët bombarduan me mortaja dhe raketa zonat perëndimore të qytetit, të kontrolluara nga ushtria, ku u vranë 9 civilë.

Sikur të mos mjaftonin luftimet në terren dhe viktimat e shkaktuara nga to, aviacioni rus dhe ai sirian bombarduan ashpër rrethinat e Aleppos, duke vrarë dhjetëra civilë të tjerë. Duket se tashmë armëpushimi nuk ekziston më dhe, pa u ulur në tryezën e bisedimeve, palët ndërluftuese kanë rënë dakord që ta zgjidhin situatën me armë.

Thirrjet e OKB-së dhe organizavate humanitare për katastrofën njerëziore në Aleppo kanë rënë në vesh të shurdhër, ndërsa opozita dhe ushtria e Assadit luftojnë për kontrollin e qytetit. Edhe zgjidhja e rusëve për evakuimin e tij nuk dha asnjë frut, pasi shumë pak njerëz përdorën korridoret e evakuimit, që u cilësuan si një kurth apo minimalisht një mjet për të dorëzuar qytetin në duart e qeverisë.

Pas më shumë se 5 vitesh luftë civile, Aleppo, dikur qendra e tregtisë në Siri, tashmë është shndërruar në një grumbull gërmadhash.

Top Channel