Kubë, festime për Fidel Castron; mbush 90 vjeç

13/08/2016 00:00

Kuba feston ditën e shtunë 90-vjetorin e politikanit revolucioniar Fidel Castro. Lideri komunist ka shërbyer si kryeministër i vendit ishullor nga viti 1959 deri në vitin 1976 e më pas mori postin e presidentit deri në vitin 2008.

Flamujt anë e mbanë Havanës lexojnë “Faleminderit Fidel”, billbordët e varur nëpër ndërtesa citojnë frazat e tij më të njohura, ndërsa mediat flasin për burrin e shtetit që ka udhëhequr ishullin për gjysmë shekulli. Edhe pse “El Comandante” ka qëndruar në hijë që kur i dorëzoi pushtetin vëllait të tij Raul, këto ditë ai ka qenë kudo qendra e vëmendjes.

Por, ceremoni të mëdha nëpër rrugët e Havanës nuk ka. As paradë dhe as muze të hapur për lidershipin e tij. 10 vitet e fundit Fidel Castro ka ndjekur nga shtëpia se si vëllai i tij Raul i dha kubanezëve liri të reja, po ashtu theu akullin e gjysmë shekulli armiqësie me SHBA. Tashmë, mijëra kubanezë kanë arsim të lartë, kanë biznese private, makina luksi, shesin dhe blejnë në internet, e po ashtu emigrojnë drejt SHBA-së, dikur toka e ndaluar. 

Në përvjetorin e tij të 90 të gjitha këto zhvillime Fidel Castro i ndjek nga shtrati i tij, ku sëmundja e stomakut duket se e vuri poshtë. Por, për të rinjtë e Kubës, më shumë sesa gëzim apo zhgënjim nga periudha komuniste, ekziston ndjenja e indiferencës. Kjo pasi ata e kanë njohur Fidel Castron si të moshuar e të mbërthyer në retorikën e Luftës së Ftohtë, që ata kurrë nuk e kanë përjetuar.

Top Channel