Shpërthimet në Tajlandë, frika zbraz destinacionet turistike

12/08/2016 00:00

Seria shpërthimeve në mbarë Tajlandën ka shkaktuar pasiguri dhe frikë në qytetet kryesore turistike të këtij vendi, si Hua Hin dhe Phuket.

Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve, por dyshimet bien mbi rebelët separatistë.

Hua Hin ndodhet rreth 200 kilometra nga kryeqyteti Bangkok, ndërsa Phuket është një provincë në ekstremin jugor. Të dyja lokalitetet janë të njohura për plazhet e tyre përrallore, por pas shpërthimeve gjërat duket se kanë ndryshuar.

Wendy Herbert, një australiane që jeton në Hua Hin, tha për BBC se ditën sotme lokaliteti ishte thuajse i boshatisur.

“Arterja kryesore rrugore, ku dhe ndodhi një nga shpërthimet, është mbyllur. Praktikisht, të gjithëve u është dashur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, siç u është dhe rekomanduar nga autoritetet”, sqaroi Herbert.

Nga ana e saj, policia deklaroi se ka ndaluar disa të dyshuar lidhur me shpërthimet, por përjashtoi pistën e terrorizmit ndërkombëtar.

“Hetimet fillestare tregojnë se në këto shpërthime u përdorën dy lloj bombash, që janë bomba zjarri dhe të improvizuara”, deklaroi Krisana Patanacharoen, kolonel i Policisë Mbretërore.

Oficeri i lartë u citua nga agjencia “Associated Press” të thoshte se, “mjete të tilla shpërthyese janë përdorur edhe në zona të tjera jugore të vendit”.

Ndërkohë, masat e sigurisë janë përforcuar në të gjitha zonat turistike, si dhe në aeroportet në jug të Tajlandës. Ndërsa ambasadat u kanë bërë thirrje turistëve që të tregohen të kujdesshëm.

Top Channel