Rusi, Putin shkarkon shefin e administratës së Kremlinit. Ivanov, ndër më të besuarit

12/08/2016 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka shkarkuar në mënyrë të papritur shefin e stafit të tij, Sergei Ivanov. Ky i fundit ka qenë pjesë e rrethit të ngushtë dhe më të besueshëm të Putinit për shumë vite. Tashmë, 63-vjeçari është bërë përfaqësues special për mjedisin dhe çështjet e transportit.

Një deklaratë e publikuar nga Kremlini bënte të ditur se Putini kishte “dekretuar lirimin e Ivanov nga detyrat e tij si kreu i administratës presidenciale të Rusisë”, por nuk jepte detaje mbi shkaqet e kësaj lëvizjeje.

Zëvendësi i Ivanovit që prej vitit 2012, Anton Vaino, është emëruar tashmë si pasardhës i tij. Vaino, 44 vjeç, ka qenë dikur një diplomat. I lindur në kryeqytetin estonez, Talin, në vitin 1972, ai u arsimua nga prestigjiozi “Instituti Shtetëror i Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare” (MGIMO), si dhe ka shërbyer në Ambasadën ruse në Tokio të Japonisë. Më vonë, ai menaxhoi protokollin presidencial dhe stafin qeveritar, thuhet në rusisht në faqen zyrtare të Kremlinit.

Në momentin e emërimit, Vaino e falënderoi Putinin për besimin e treguar, ndërsa shtoi se “detyra më e rëndësishme e administratës është mbështetja e aktiviteteve të tij si kryetar shteti, në termat e hartimit të ligjeve dhe kontrollin mbi mënyrën sesi implementohen instruksionet e tij”.

Putin tha për kanalin televiziv rus “Russian TV” gjatë së premtes se, Ivanov i kishte kërkuar atij largimin nga posti dhe se i kishte rekomanduar Vainon për ta zëvendësuar në atë post.

Në fjalimin drejtuar Putinit, sipas asaj që ka cituar faqja e Kremlinit, Ivanov është shprehur se “është e vërtetë që në fillim të vitit 2012 ju kam kërkuar përmes një bisede, për të më besuar mua këtë pozicion tepër të komplikuar për 4 vite, edhe pse ju e quajtët një post tepër shqetësues”. Megjithatë “tashmë rezulton që unë të kem qenë shef i stafit presidencial për 4 vite e 8 muaj”.

Ivanov e mori postin e tij në dhjetor të vitit 2011, ndërkohë që kishte shërbyer më herët si zv.kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Ai është anëtar i Këshillit rus të Sigurisë, si dhe një ish-anëtar i shërbimeve sekrete KGB, sikurse edhe vet Putin.

Në fundin e viteve ’90, Putin ishte kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), pasuesja e KGB-së, ndërsa Ivanov ishte emëruar si zëvendësi i tij. Kur Putin erdhi në pushtet, ai e emëroi Ivanovin si një prej 5 njerëzve më të besuar të tij.

Në momentin kur Putinit i mbaronte mandati i dytë presidencial dhe nuk mund të garonte për një të tretë, u mendua se Ivanovi do të bëhet presidenti i ri i Rusisë, por ky post u mor nga aleati tjetër i Putinit, Dmitry Medvedev. Putin asokohe u bë kryeministër, përpara se të rikthehej në Presidencë vetëm 3 vite e gjysmë më vonë.

Top Channel