Vonesat në central, Kina: Dëmtojnë raportet me Anglinë

09/08/2016 09:50

Dështimi në projektin bërthamor Hinkley Point mund të kërcënojë marrëdhëniet e Kinës me Mbretërinë e Bashkuar. Kështu paralajmëroi ambasadori kinez në britani Liu Xiaoming përmes një shkrimi në gazetën “Financial Times”, ku thotë se vonesat në miratimin e ndërtimit të centralit bërthamor i kanë sjellë dy vendet në një kryqëzim historik.

Xiaoming tha se nëse qeveria britanike vendos që të mos aprovojë marrëveshjen, besimi reciprok mes dy vendeve mund të vihet në rrezik. Pritet që Kina të financojë një të tretën e vlerës prej 18 miliardë stërlinash të centralit të ri bërthamor.

Muajin e shkuar, kompania franceze EDF, e cila financon pjesën më të madhe të projektit, vendosi që ta vazhdojë atë. Por, në një lëvizje surprizë, qeveria britanike tha se ka nevojë për kohë, më saktë deri në vjeshtë, për të rishikuar projektin. Mediat britanike raportojnë se shtyrja e paktit është pasojë e shqetësimeve të kryeminsistres Theresa May për përfshirjen kineze në të.

Burime qeveritare thonë se ajo e kishte kritikuar angazhimin me Kinën që kur ishte ministre e Brendshme. Në shkrimin e tij në “Financial Times”, ambasadori kinez Xiaoming nënvizon përfitimet e impiantit të ri bërthamor dhe ekspertizën e lartë të vendit të tij në këtë sektor.

Ai gjithashtu dërgoi mesazhin se Kina nuk do ta pranojë në heshtje ndalimin e projektit, ndërsa shtoi se shpreson që Mbretëria e Bashkuar do të mbajë dyer hapur për Kinën për projekte të tilla biznesin edhe në të ardhmen.

Top Channel