Buxheti, Ahmetaj reagon ndaj Bashës

01/08/2016 00:00

Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, ministri i Financave Arben Ahmetaj i ka kthyer përgjigje asaj që një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e kishte quajtur një ndryshim “tinzar” i buxhetit të shtetit nga ana e qeverisë, me anë të aktit normativ, pa e dërguar atë në komisione e në Parlament.

Në deklaratën e tij, Ahmetaj shpjegon synimet që ka akti normativ për rishikimin e buxhetit, si dhe thekson se në këtë mes nuk ka asgjë të fshehtë, por gjithçka është publike e transparente.

Duke e titulluar reagimin e tij me atë që ai e konsideron si mungesë këshillimi të administratorit të SHQUP-it, Ahmetaj fton kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha të lexojë shifrat e ekonomisë.

Ja reagimi i plotë:

Administratorin e SHQUP nuk ka kush ta këshillojë

Akti Normativ është një rishikim rutinë i buxhetit që ka si synim kryesor përpejtimin e ekzekutimit të shpenzimeve publike, por jo ndryshim politikash. Si instrument ligjor, i përdorur ndër vite, i nënshtrohet të njëjtës procedurë konsultimi parlamentare, nga komisionet e deri tek votimi në seancë. Asgjë e fshtehtë, gjithçka publike e transparente.

Buxheti nuk rishikohet për ndryshim në të ardhura, por për optimizim të shpenzimeve. Të gjithë objektivat janë sipas parashikimeve të fillimvitit, treguesit ekonomikë janë pozitivë:

Indeksimi i pensioneve është rrjedhojë e një reforme të miratuar me konsensus të gjerë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, që synon qëndrueshmërinë e skemës, larg modelit të kolapsit ku ishte.

Deri para pak javësh, administratori i ShQUP fliste për deflacion, ndërkohë që tani thotë që çdo çmim është shtrenjtuar. Inflacioni nuk ndryshon sipas nevojave politike të të harruarit në ShQUP.

Eksportet po ashtu janë statistikë zyrtare, jo tekë ShQUPi. Pa impaktin e ndryshimit të cmimit të naftës dhe kromit, eksportet janë rritur me 7.9%. Pyet dikë që njeh numrat!

Eksportet që lidhen me rritjen ekonomike shqiptare janë rritur. Rritja ekonokomike është 2.96%, nuk e kuptoj përse të dhemb rritja.

Papunësia është ulur, nga 17.3% në 16.6%, pavarësisht se si e do administrator I SHQUP.

Nga ndihma ekonomike janë hequr militantët dhe nuk është në rënie për shtresat në nevojë, vetëm për abuzuesit sipas modelit të shkuar. Ndryshe nga koha juaj, ndihma paguhet në kohë tek shtresat në nevojë.

Investimet publike nuk janë ulur, përkundrazi janë rritur. Fondet e Ministrive të Transporteve dhe Bujqësisë janë rritur me 7.54% (Transportet) dhe 14.6% (Bujqësia) respektivisht, duke prioritizuar projekte si Unaza e Tiranës, aksi Tiranë-Elbasan dhe infrastruktura e ujitjes e kullimit.

Dhe sa për borxhin publik, ai është ulur më 1.3 miliardë lekë, jo rritur. Të ardhurat nga privatizimet po shkojnë përgjysëm në rritje investimesh dhe ulje borxhi, diçka e padëgjuar në kohën tuaj.

Pra administrator, mëso të lexosh shifrat!

Top Channel