Zjarri në spital, viktima e katërt; ndërron jetë Dashamir Saraçi

27/07/2016 00:00

Pasditen e së mërkurës ndërroi jetë në spital Dashamir Saraçi, pacienti i hemodializës në Spitalin Amerikan që u sulmua me benzinë nga një tjetër pacient.

Dashamir Saraçi kishte pësuar djegie shumë të rënda nga flakët dhe dy ditë pas ngjarjes nuk mundi të mbijetojë.

Vdekja e tij e çon në katër numrin e viktimave, ndërkohë dëshmitë e pacientëve dhe personelit tregojnë se protagonistët e kësaj historie nuk kishin patur mosmarrëveshje dhe konflikte të mëparshme.

“Nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Nuk mund ta besojmë si ka ndodhur kjo ngjarje. Lefteri ka qenë shumë i qetë, nuk fliste fare”, tregon një pacient.

“Bravo i qoftë punonjësve të spitalit, që vepruan me shpejtësi. Ata nuk kanë pasur probleme këtu me asnjë person”, shprehet një tjetër pacient.

Ndërkohë bluzat e bardha hedhin poshtë hipotezën se shkaku i konfliktit mes 2 pacientëve ka qenë për radhën.

“Nuk ka pasur asnjë lloj zënke për punë radhe në atë sallë. Dashamiri ka qenë një njeri shumë pozitiv, një njeri me shumë kurajo dhe aspak problematik”, shprehet Fjona Nasto, mjeke nefrologe.

Ndërkohë, infermieri Stilian Bardhi që mbeti i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ai u dëmtua rëndë në përpjekje për të ndalur atë që po ndodhte në pavionin ku punonte.

Top Channel