“Karaburuni”, nën hetim. Verifikim të gjithë procedurës së pronësisë

25/07/2016 00:00

Pas sekuestrimit të 220 hektarëve truall në Karaburun, Prokuroria e Krimeve të Rënda zgjeron hetimet për këtë dosje. Një burim i tha Top Channel se, nën hetim janë të gjitha procedurat për Karaburunin, duke qenë se shikohen të dyshimta, e për këtë arsye i është kërkuar Hipotekës që t’i vendosë në dispozicion të gjitha praktikat e pronësisë.

I njëjti veprim hetimor po kryhet edhe në Gjykatën e Vlorës, pas dyshimeve të Prokurorisë Krimeve të Rënda se për rastin e Karaburunit, një grup i strukturuar përmes një mekanizmi falsifikimi ka tjetërsuar qindra hektarë tokë, duke i shitur më pas te persona të tretë edhe përmes formës së mashtrimit.

Burimet shpjeguan se deri më tani janë konstatuar 3 episode falsifikimi në Karaburun. Në episodin e parë, të bërë publik dhe për të cilin janë nën akuzë 5 persona, bëhet fjalë për 220 hektarë tokë në plazhin e Shën Vasilit.

Ndërkohë gjatë hetimeve janë identifikuar edhe dy raste të tjera, po në Karaburun, të tjetërsimit të pronësisë për 89 hektarë dhe 33 hektarë truall e kullota. Të treja episodet i bashkon fakti i dhënies së vendimeve fiktive nga Gjykata e Vlorës, në një kohë që gjyqtarët e përmendur nuk kanë asnjë dijeni për këto çështje. Grupi i hetimit thotë se më pas, të dyshuarit me këto vendime kryenin regjistrimin në Hipotekë, e më tej tjetërsimin e saj.

Deri më tani ndodhen nën akuzë së paku një notere, një avokat dhe një punonjëse e Hipotekës. Për shkak të shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Vlorës, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shqyrtuar më herët rivlerësimin e masave, ndërkohë që pritet të ketë edhe masa të tjera sigurie për disa persona nën hetim.

Top Channel