Aksidenti tragjik në Gjirokastër, arrestohen dy persona

25/07/2016 00:00

Policia e Gjirokastrës arrestoi dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksidentin e një dite më parë me pasojë 3 të vdekur dhe 8 të plagosur.

Sipas policisë, Hasan Dedja, 58 vjeç, banues në Tiranë dhe shtetasi Irfan Hasani, 31 vjeç, banues në Gjilan të Kosovës, u arrestuan në flagrancë pasi dje në orën 14:00 në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë,  në vëndin e quajtur “Kryqëzimi i Rrugës Mashkullorë”, mjeti Nissan që drejtohej nga shtetasi Irfan Hasani, që lëvizte në drejtim Tepelenë-Gjirokastër është përplasur  me mjetin furgon Benz që drejtohej nga shtetasi Hasan Dedja e që lëvizte në drejtim Gjirokastër –Tepelenë.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën Albana hasani, 38 vjeç, oficere policie, banuese në Tiranë dhe e bija e saj vetëm 9 muajshe, që ndodheshin në furgon dhe i biri i Irfan Hasanit, vetëm 18-muajsh.

Nga aksidenti janë dëmtuar rëndë 8 persona të tjerë, pjesa më e madhe fëmijë. Tre prej tyre janë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku u sollën që dje me helikopter dhe me ambulanca.

Policia dje doli në përfundimin se aksidenti u shkaktua nga një parakalim i gabuar dhe shpejtësia e madhe. Të dy drejtuesit e mjeteve akuzohen për shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e personave.

Top Channel