Turqi, Erdogan zgjat burgimin pa akuzë për zyrtarët e arrestuar

23/07/2016 00:00

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ka zgjatur periudhën e paraburgimit të të dyshuarve deri në 30 ditë, vendim ky i marrë pas valës së arrestimeve të funksionarëve shtetërorë, të akuzuar për grushtin e shtetit të fundjavës së kaluar.

Lajmi bëhet i ditur përmes një deklarate zyrtare për shtyp, ku thuhet se qeveria turke ka urdhëruar gjithashtu mbylljen e mbi 1 mijë shkollave private dhe mbi 1.200 shoqatave.

Erdogan ka deklaruar se, gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në vend do t’u lejojë autoriteteve të rivendosin rendin dhe të sheshojnë pasojat e grushtit të dështuar të shtetit në mënyrë efikase.

Të paktën 60 mijë funksionarë shtetërorë janë arrestuar dhe pezulluar nga detyra në Turqi, një lëvizje kjo që është kritikuar gjerësisht nga ndërkombëtarët.

Punonjës të Ministrisë së Arsimit, mësues të shkollave private dhe dekanë të fakulteteve përbëjnë rreth gjysmën e personave të goditur nga masat e Erdogan.

Shkollat dhe shoqatat e mbyllura akuzohen për lidhje me klerikun mysliman turk që jeton në Shtetet e Bashkuara, Feithullah Gulen, raporton agjencia e lajmeve “Anadolu”.

Mes institucioneve që janë urdhëruar të mbyllen janë edhe 19 sindikata, 15 universitete dhe 35 qendra mjekësore. Këtë të shtunë, kryeprokurori i Ankarasë, Harun Kodalak u citua nga mediat turke të thoshte se, 1.200 ushtarë të arrestuar për grushtin janë lënë të lirë.

Por thuhet se, të liruarit janë ushtarë të gradave të ulëta, ndërkohë që mbi 100 gjeneralë dhe admiralë janë ende në gjendje burgimi.

Top Channel