Trump pranon emërimin, mbyllet kuvendi i republikanëve

22/07/2016 00:00

Kuvendi i republikanëve u mbyll mbrëmjen e së premtes në Klivlend të Ohajos, me fjalimin e kandidatit për President Donald Trump, pika kulmore e një jave që pati momente befasuese dhe dramatike dhe që tregoi se ndasitë e krijuara nga fushata ende nuk janë zhdukur në Partinë Republikane.

Ngjitja e pazakontë e manjatit miliarder, pa përvojë politike në njërën prej dy forcave mbizotëruese politike në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë kandidati i saj, është një rast i pashembullt në politikën amerikane.

Teksa pranoi zyrtarisht kandidaturën, manjati i pasurive te patundshme u zotuat se nëse do të zgjidhej president do të luftonte kërcënimet e shumta me të cilat përballet Amerika. Duke e përshkruar si tepër të zymtë gjendjen në vend, ai tha se do të hapte një kapitull të ri, ku prioritet do të jetë Amerika e njerëzit e thjeshtë.

“Unë jam zëri juaj. Ne duhet të zgjedhim të besojmë tek Amerika. Historia po na vëzhgon ne. Të gjithë amerikanëve kudo që ndodhen u bëj sot një premtim: Ne do t’i rikthejmë vendit forcën dhe krenarinë, do ta bëjmë Amerikën sërish të sigurtë”, tha Trump.

Biznesmeni njujorkez u ndal tek çështja e sigurisë duke thënë se vendi kërcënohej nga radikalët islamikë, e gjithashtu tek emigrantët e paligjshëm dhe marrëveshjet tregtare që dëmtojnë punonjësit amerikanë.

Një pjesë e mirë e fjalimit 75 minutësh të Trump, u përqendrua tek sulmet ndaj rivales së tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton.
 
“Amerika është më pak e sigurt – dhe bota shumë më pak e qëndrueshme – sesa kur zoti Obama mori vendimin që të vinte Hillary Clintonin në krye të politikës së jashtme të Amerikës. Instinktet e saj të dobëta dhe gjykimi i saj i keq – diçka që e ka vënë në dukje edhe Bernie Sanders – kanë shkaktuar shumë nga katastrofat që po shfaqen sot”, deklaroi Trump.

Fjalimi i tij vjen një ditë pasi senatori Ted Cruz refuzoi t’i jepte mbështetjen. Të tjetër eksponentë të lartë të partisë, si dy presidentët Bush nuk morën pjesë në konventë, në shenjë proteste ndaj zgjedhjes së Trumpit, të cilin e kundërshtojnë fuqishëm.

Tani vëmendja zhvendoset në kampin demokrat, ku Hillary Clonton pritet të marrë kandidaturën në kuvendin e partisë, që nis të hënën në Filadelfia.

FOTO GALERI
3/14

Top Channel