Obama-Nieto konfirmojnë marrëdhëniet SHBA-Meksikë

22/07/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai meksikan, Enrique Pena Nieto riafirmuan këtë të premte rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Meksikë, duke e vënë theksin tek përfitimet nga tregtia dypalëshe dhe miqësia.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Obama deklaroi se marrëdhënia tregtare me Meksikën është burim i investimeve të rëndësishme dhe krijon vende të shumta pune në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se, Amerika shet më shumë mallra dhe shërbime në Meksikë sesa në Kinë, Indi dhe Rusi të marra së bashku. Presidenti amerikan theksoi se gjatë presidencës së tij ai ka punuar për t’i thelluar këto marrëdhënie.

“Por ne nuk jemi vetëm partnerë strategjikë dhe ekonomikë. Ne jemi gjithashtu fqinj dhe miq”, u shpreh Obama.

Konferenca për shtyp u mbajt një ditë pas Konventës Kombëtare Republikane, ku kandidati për president Donald Trump përsëriti qëndrimin e tij ndaj emigrantëve meksikanë, të cilët i cilësoi si “kriminelë dhe përdhunues”.

Por Pena Nieto tha se, marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara janë jetike për vendin e tij dhe u shpreh i gatshëm për një “dialog të sinqertë dhe të hapur” me këdo që do të zgjidhet president i Amerikës.

Presidenti meksikan i shmangu pyetjet mbi murin kufitar, ndërtimin e të cilit Trump kërkon që ta paguajë Meksika për të frenuar fluksin e emigrantëve.

Në raste të mëparshme ai ka thënë se, Meksika nuk do të paguajë asgjë për planet e zotit Trump, ndërsa këtë herë ishte Obama që tha se, “ekonomia globale është një fakt dhe ne nuk mund të ndërtojmë një mur rreth saj”.

Top Channel