Masakra në Nicë, 5 të dyshuarit dalin përpara gjykatës

22/07/2016 00:00

5 të dyshuar dolën përpara një gjykate në Francë, nën akuzë për lidhje me sulmin terrorist të Nicës, ku humben jetën 84 persona. 4 burra dhe një grua, nga 22 deri në 40-vjeç, akuzohen se kanë ndihmuar tunizianin Mohamed Lahouaiej-Bouhlel të përgatiste sulmin terrorist. Mes tyre është edhe një çift shqiptarësh.

Siç bën të ditur kryeprokurori Fransua Molin, një prej të dyshuarve, një ditë pas tragjedisë, ishte kthyer në vendin e ngjarjes për të filmuar pasojat. Tre prej tyre të identifikuar si franko-tunizianet Ramzi A. dhe Mohamed Oualid G., dhe një tunizian i quajtur Chokri C., u akuzuan si bashkëpunëtorë në vrasje të kryer nga një grup me lidhje terroriste.

Ndërkohë shqiptari i identifikuar si Artan dhe një grua me shtetësi të dyfishtë franko-shqiptare me emrin Enkelejda, dyshohen se i kanë siguruar Bouhlelit një pistoletë, dhe u akuzuan për shkelje të ligjit për armët në lidhje me një grup terrorist. Kryeprokurori njoftoi se të pestë ata do të mbahen në gjendje arresti.

Ashtu si 31-vjeçari që drejtoi kamionin mes turmës që po festonte ditën e Bastijës në “Promenade des Anglais”, edhe personat e ndaluar nuk njiheshin nga shërbimet sekrete, edhe pse Ramzi A. ishte dënuar në të kaluarën për drogë dhe krime të vogla.

Molin sqaroi se informacionet e siguruara nga telefoni i Buhlel kishin treguar se ai po e planifikonte sulmin qe prej 2015-s. I ashtuquajturi Shteti Islamik pretendon se tuniziani ishte një prej ushtarëve të tij, por shoferi i kamionit nuk kishte qenë asnjëherë në listën e personave të dyshuar të policisë franceze.

Qeveria ka vënë gjithashtu në shënjestër të hetimeve policinë e Nicës, mes pretendimeve se në bulevardin e famshëm buzëdetit që do të kthehej në skenën e një kasaphane, kishte pasur shumë pak policë. Sipas pretendimeve të Liberation vetëm një makinë e policisë bashkiake bllokonte kalimin e automjeteve në pedonale.

Top Channel