Jerusalemi konservator, pa asnjë incident parada “gay”

22/07/2016 00:00

Mijëra mbështetës dhe pjesëtarë të komunitetit LGBT në Jerusalem morën pjesë në të ashtuquajturën parada vjetore e krenarisë. Pavarësisht reputacionit konservator të qytetit, marshimi u zhvillua mes një morie tollumbacësh, banerash dhe flamujsh me ngjyrat e ylberit, pa asnjë incident.

Gjithsesi autoritetet thane se pjesëtarët e policisë ishin përgatitur për të garantuar sigurinë gjatë aktivitetit. Në të kaluarën paradat e homoseksualëve në qytetin e shenjtë, janë shënjuar nga protesta dhe akte dhune.

Në marshimin e një viti më parë një hebre ultra-ortodoks, Yishai Schlissel, vrau një adoleshente dhe plagosi disa persona pasi u vërsul mbi turmën duke qëlluar me thikë.

Schlissel u dënua me burgim të përjetshëm dhe të enjten doli sërish në gjykatë nën dyshimet se po planifikonte një tjetër sulm, përmes një pjesëtari të familjes.

Pjesëmarrësit në paradë u luten për adoleshenten e vrarë dhe vendosen lule pranë një posteri me fotografinë e saj.

Paradat e Jerusalemit kanë qenë prej kohësh në fokus të tensioneve mes shumicës laike të Izraelit dhe minoritetit ultra-ortodoks që kundërshton shfaqjen publike të homoseksualitetit. Marshimi vjetor mbahet në Jerusalem që prej vitit 2001.

Top Channel