“Dara” e fortë e Erdogan, BE: Ajo që po ndodh është e papranueshme

22/07/2016 00:00

Një ditë pasi Turqia pezulloi përkohësisht zbatimin e Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini i kërkoi Ankarasë të mos përdorë institucionet demokratike për të gërryer të drejtat e njeriut.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan lëvizi shumë shpejt pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti, për konsolidimin e pozitave të tij.

“Ua kemi bërë shumë të qartë miqve tanë turq, se i mbështesim plotësisht institucionet, ato demokratike dhe legjitime. Por nuk ka absolutisht asnjë lloj shfajësimi për një reagim, që minon liritë dhe të drejtat themeltare. Ajo që po shohim në Turqi, sidomos në fushën e arsimit, atë të medias e gjyqësorit, është e papranueshme”, tha Federica Mogherini.

Të enjten, Turqia vendosi gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhe tremujore, duke shtuar kështu fuqinë e shtetit për të forcuar darën mbi të dyshuarit si jo besnikë të presidentit. Në argumentin e këtij të fundit, një masë e tillë do të lejojë spastrimin e vendit nga terroristët e lidhur me klerikun mysliman Fetullah Gulen, të cilin e akuzon si organizatorin e puçit ushtarak.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet në Turqi trondisin krahun jugor të NATO-s. Pasoja ndaj aleancës mund të ketë edhe arrestimi i shumë gjeneralëve dhe ushtarëve. Analistët mendojnë se mungesa e stabilitetit në Turqi do të thotë dobësim i spirancës së deritanishme të NATO-s për qëndrueshmërinë në rajon.

Turqia ka ushtrinë e dytë për nga madhësia brenda aleancës dhe, nëse bllokohet ekipi drejtues i Forcave të Armatosura, ashtu siç po ndodh dhe me një grup punonjësish të drejtësisë, akademikë e mësues, zëvendësimi i menjëhershëm korrekt dhe profesional i këtij personeli, sipas tyre nuk do të jetë i mundur.

Top Channel