Tenton t’i shpëtojë policisë, bie në humnerë; plagoset 25-vjeçari

20/07/2016 00:00

Një përson është plagosur pasi është rrëzuar në një terren të thyer malor në tentativë për t’i shpëtuar policisë gjatë një aksioni anti-kanabis në zonen e Fushë Arrëzit.

Sipas njoftimit të policisë, në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, i njësisë administrative të Qafë Malit, gjatë kontrollit të territorit janë gjetur tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara si kanabis sativa.

Kurse në një barakë afër parcelave ishin fshehur dy persona, të cilët sapo kanë parë forcat e policisë janë larguar me vrap. Menjëherë agjentët janë vënë në ndjekje të të dyshuarve, njëri prej të cilëve në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes është rrëzuar në një humnerë të vogël dhe ka pësuar dëmtime fizike.

Ai është identifikuar me inicialet G.M, 25 vjeç, banues në Tiranë dhe cili është transportuar me helikopter për në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, shërbimet policore vazhdojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e personit të dytë.

Top Channel