Hetim pasurisë së gjykatëses, prokuroria kërkon pronat dhe llogaritë bankare

19/07/2016 00:00

Prokuroria e Përgjithshme nisi edhe hetimin pasuror ndaj gjyqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea dhe bashkëshortit të saj Odhise Andrea, i kërkuar nga drejtësia për shkak të masës së arrestit.

Burime të Top Channel shpjeguan se në vijim të veprimeve hetimore pritet t’i dërgohet shkresë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, si dhe hipotekave e bankave për të marrë një përgjigje mbi pasuritë e çiftit të vendosur nën hetim për korrupsion.

Prokurori i çështjes Arben Kraja nuk ka vendosur ende se kur do ta thërrasë për ta pyetur gjyqtaren e lartë Majlinda Andrea, ndaj të cilës ka një vendim sigurie pezullim nga detyra të dhënë gjatë fundjavës nga kolegët e saj.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani nga ana e tij e konisderoi edhe rastin e fundit si një tregues të nivelit të korrupsionit.

“Në asnjë sekond të jetës sime si ministër dhe qytetar nuk kam menduar që në gjyqësor nuk ka korrupsion dhe ne duhet të marrim masa që të zgjidhim këtë cështje. Një rrugë kryesore është reforma, të cilën duhet ta mbyllim një orë e më parë sepse çdo zgjatje vetëm shton agoninë dhe e bën trupën gjyqësore të punojë si për ditën e fundit”, deklaroi Manjani.

Gjyqtarja ndodhet në hetim së bashku me katër të tjerë pasi nga përgjimet rezultoi se një palë në proces ka paguar 50 mijë euro për të përfituar një vendim pronësie mbi 40 hektarë truall në Butrint.

Top Channel