Vdes bariu 56-vjeçar, ishte prekur nga antraksi

18/07/2016 00:00

Një 56-vjeçar nga Libohova në Gjirokastër, ka humbur jetën si pasojë e konsumimit të mishit të infektuar me antraks, që në gjuhën popullore njihet si plasja.

Rasti konfirmohet nga specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Gjirokastër, të cilët pohojnë se shtetasi me inicialet E.M. ka mbërritur në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” në gjendje tepër të rënduar shëndetësore dhe ka qenë i pamundur shpëtimi i tij.

Po sipas specialistëve të kësaj drejtorie, dyshohet se shkak mund të ketë qenë konsumimi i mishit të gjallë, ndërkohë që familjarët e viktimës, konsumatorë të të njëjtit produkt,  nuk kanë patur shqetësime.

Qarku i Gjirokastrës njihet si një nga zonat më problematike të shfaqjes së sëmundshmërisë zonoze, ku janë evidentuar raste të sëmundjes jo vetëm në krerë, por edhe në njerëz.

Specialisët të shëndetësisë u bëjnë apel konsumatorëve të tregohen të kujdeshëm në rastet e konsumit të mishit të gjësë së gjallë dhe hospitalizimin e menjëhershëm në rastet e shqetësimeve shëndetësore.

Top Channel