Erdogan, me grusht të hekurt. Alarmohen SHBA e BE: Po ashpërson diktatin e tij politik

18/07/2016 00:00

Shkarkimi e ndalimet e befta të gjykatësve e shumë personave të tjerë pas grushtit të dështuar të shtetit tregojnë se qeveria turke e kishte të përgatitur që përpara listën e njerëzve të shënjestruar, deklaroi Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn.

Plot 6.000 vetë u arrestuan të dielën, gjysma e tyre gjyqtarë. Ndërsa 8.000 pezullime u kryen sot në radhët e policisë, të cilat nën argumentin e lidhjeve të dyshuara të individëve në fjalë me puçin e së premtes, më shumë ngjasojnë me spastrime. Mes njerëzve që i hiqen nga rruga Erdoganit ka ushtarë të thjeshtë e gjeneralë.

“Duket si diçka e parapërgatitur. Listat janë të gatshme, çfarë dëshmon se kanë qenë të hartuara që më parë me qëllimin të përdoreshin në një moment të caktuar. Jam shumë i shqetësuar. Është saktësisht ajo së cilës i druheshim”, tha Johannes Hahn, komisioner i Zgjerimit.

E ashpër dhe e drejtpërdejtë ka qenë edhe Qeveria gjermane, e cila përmes zëdhënësit Stephen Seibert deklaroi se, po rivendosi Turqia dënimin me vdekje, bisedimet e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian do të ndërpriteshin menjëherë. “Kjo për Gjermaninë është e papranueshme, – tha Seibert. – Ne e refuzojmë kategorikisht dënimin me vdekje”.

Vet Erdogan, një ditë më parë premtoi ta shpëtonte Turqinë – siç u shpreh ai, – nga njerëzit e përfshirë në tentativën për grusht shteti. “Në çdo nivel qeverisjeje do të vazhdojë periudha e spastrimit të këtij virusi, – ishin fjalët e kreut të shtetit turk. – Ashtu si kanceri, ai do të përhapej në të gjithë qeverinë”.

Pas dështimit të revoltës po arrestohet jo vetëm personel ushtarak, e vala e ndalimeve duket e destinuar të vazhdojë. Personat mbi të cilët po përplaset kamzhiku i pushtetit thuhet të jenë të afërt me “Lëvizjen Gylen”, të cilën partia në pushtet AKP e konsideron organizatë terroriste.

Klerikun në mërgim, presidenti turk e akuzon si organizuesin e përpjekjes për grusht shteti, por nga Shtetet e Bashkuara ku ka jetuar që para ardhjes së Erdoganit në krye të shtetit, dijetari islamik e dënoi puçin, e mohon të ketë ndonjë lidhje me të.

Top Channel