Turqia, aleati i komplikuar i Perëndimit

16/07/2016 00:00

Turqia është një pikë kyçe midis Lindjes dhe Perëndimit. Kështu Ankaraja mbetet një nga aleatet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, botës perëndimore dhe qeverive të Lindjes së Mesme.

Si anëtarja e vetme me shumicë myslimane në NATO, Turqia ka krijuar ne tokën e saj baza ajrore për SHBA,  me qëllim ofrimin e mbështetjes në operacionet ushtarake amerikane për konfliktet kryesore.

Por për ta edhe pjesën tjetër të botës, Turqia nuk shihet si një aleat “i thjeshtë”, por si i komplikuar, aq më tepër kur Erdogan thelloi pushtetin e tij duke e kthyer atë në autokratik. Kjo pakënaqësi shihet si motivi kryesor që shtyu xhandarmërinë të zbriste në Ankara dhe Stamboll për ta rrëzuar Erdogan nga pushteti.

Por stabiliteti i Turqisë është gjithashtu me rëndësi jetike për të SHBA dhe për vendet në të gjithë Europën. Turqia ka qenë aleat i NATO-s që nga viti 1952, dhe avionët luftarakë amerikane  kanë përdorur bazën ajrore ne jug të vendit Inçirlik gjatë pushtimeve në Afganistan dhe Irak.

Rreth 1,800 ushtarakë janë stacionuar në bazë, por edhe në ambasadën amerikane në Ankara. Siguria në Incirlik ka rëndësi jetike për ushtrinë të SHBA-së, pasi aty ndodhen rezerva te armëve bërthamore të projektuara për të shkaktuar dëm të madh.

Ndërkaq, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, Erdogan ishte fillimisht i dyzuar nëse do të përfshihej në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Për analistet qëllimi më i madhi presidentit turk nuk ishte shfarosja e militantëve, por rrëzimi nga pushteti i Bashar al Assad. Por, pas një serie shpërthimesh kamikazë të profilit të lartë në qytetet turke, intensiteti i luftës ajrore e Turqisë në Siri është rritur ndjeshëm.

Krisja e stabilitetit në vend paraqet edhe një element pasigurie në luftën e koalicionit kundër Shtetit Islamik.

Një lidership i ri do të bënte që “Topi”  të ishte në oborrin e qeverisë së grushtit të shtetit, dhe ata do të përcaktonin nëse lufta do të vazhdonte. Po ashtu lufta e brendshme do të ngrinte një tjetër pikëpyetje. Çdo të bëhet me afërsisht 3 milionë refugjatë që jetojnë atje?

Vendi ka shërbyer si një valvul shpëtimi për eksodin më të madh pas luftës së dytë botërore. Turqia u bë vendi i parë mysliman që njohu Izraelin. Ankaraja është parë prej kohësh si një urë lidhëse mes Izraelit dhe botës arabe dhe, më e rëndësishmja, si një ndërmjetëse në bisedimet e paqes të udhëhequra nga Uashingtoni për t’i dhënë fund konfliktit me palestinezët.

Edhe pse marrëdhëniet diplomatike turko-izraelite u ndërprenë në vitin 2010, ato u riforcuan në qershor të këtij viti. Historia ka treguar se pozicioni i saj strategjik ka qenë mallkim, por edhe bekim për Turqinë.

Për shekuj me radhë vendi ka qene një udhëkryq i begatë për tregtarët e  mëndafshit, erëzave, floririt apo të tjera mallrave.  Por, njëkohësisht ka qenë edhe toka e betejave brutale, dhe epërsisë së pushtetit, të cilën e dëshmoi edhe kjo tentative për të realizuar grushtin e radhës së shtetit.

Top Channel