Pranga për skrap dhe tritol, arrestohen 4  punonjës të Uzinës së Mjekësit

15/07/2016 00:00

Katër drejtues dhe punonjës të Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës janë arrestuar për “Shpërdorim Detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa ish-drejtori është shpallur në kërkim.

Hetimi nga prokuroria nisi pas kallëzimit që Ministria e Mbrojtjes bëri dy vjet më pare. Në pranga u vunë shtetasit Kristaq Piligriu, me detyrë Kryetar i Degës Ekonomike në Uzinën Lëndëve Plasëse Mjekës, Argjir Panariti, ish-inxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, Stavri Çipa me detyrë Kryeinxhinier dhe Gëzim Pitja me detyrë inxhinier.

Shkeljet e konstatuara në shuma të mëdha parash janë bërë në  vitet 2012-2013 në kohën kur drejtor i Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës ishte Daniel Karanxha, i shpallur në kërkim.

Top Channel siguroi detajet e tenderëve ku Prokuroria ka konstatuar shkelje ligjore.  Bëhet fjalë për procedurën e shitjes së lëndëve tritol me vlere 270 mijë dollarë, procedura e prokurimit në realizimin skenografik në 3D të koncertit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare në shumën 11 milionë lekëve, sponsorizimet e kryera nga kjo uzinë në vlerën e 3.6 milionë lekëve kalimi në pronësisë të ULP Mjekës të Klubit te Futbollit “Partizani” dhe ankandi për shitjen për skrap nga uzina ku vlera e dëmit është 9. 8 milionë leke.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “ Arrest me burg” për personat e përfshirë në shkeljet e mësipërme, masë e cila është ekzekutuar mesditën e së enjtes nga Policia e Elbasanit ndërkohë që po punohet për kapjen e ish drejtorit të Uzinës së Lëndëve  Plasëse Mjekës Daniel Karanxha.

Top Channel