Rezerva për figurën e Boris Johnson

14/07/2016 10:00

Surpriza më e madhe e emrave të zgjedhur për kabinetin e ri britanik është padyshim Boris Johnson si ministër i Jashtëm. Ky është padyshim një prej posteve më të rëndësishme në qeveri dhe roli i tij do të jetë tejet i ndryshëm, duke qenë se Britania po përgatit jetën e saj jashtë Bashkimit Evropian.

Pasi mori emërimin, Johnson tha se ishte shumë krenar për detyrën e re dhe e pranoi atë me përulësi. “Tani kemi një mundësi të madhe që të shndërrojmë në sukses marrëdhënien me Evropën dhe Botën, prandaj jam tejet i emocionuar që m’u kërkua të luaj një rol në këtë përpjekje”, deklaroi Johnson.

Por, duke parë të shkuarën e tij dhe sidomos deklaratat mjaft kontradiktore që ka bërë në vite, shumë analistë kanë dyshime nëse BoJo, siç njihet ndryshe Johnson, është njeriu i duhur për diplomacinë e ishullit mbretëror. Johnson nuk ka frikë të thotë hapur atë që mendon, pavarësisht se kujt i mbetet hatri. Në të shkuarën, ai e ka krahasuar Hillary Clinton me një infermiere sadiste në një spital psikiatrik, ndërsa gjithashtu fitoi para’ për një poemë për presidentin turk Erdoan që bënte seks me një dhi.

Komentet e tij kanë shkuar nga ksenofobet tek racistet dhe pelerina e kryediplomatit britanik zor se mund ta mbulojë këtë. Në një parashikim mjaft interesant për emërimin e Johnson si kryediplomat i vendit, lideri liberal i demokratëve britanikë, Tim Farron tha se ai do të kalojë më shumë kohë duke i kërkuar ndjesë vendeve që ka ofenduar sesa duke punuar si ministër i Jashtëm.

Top Channel