VIDEO/ Shpërthen kamioni me eksploziv në Kolumbi, 14 të plagosur pranë një stacioni policie Duhet ndërtuar besimi tek policia, tha presidenti amerikan, Barack Obama në Uashington, pas një takimi me aktivistë, politikanë e oficerë të policisë.
Vendi, sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë as që i është afruar ngushtimit të hendekut mes forcave të rendit dhe komuniteteve, të cilave ato i shërbejnë. Duhet bërë më shumë, sipas presidentit amerikan, sidomos sa i takon krijimit të besimit mes personave me ngjyrë dhe hispanikëve, e për këtë duhet nisur sipas tij me hetimin e drejtë të dhunës policore.
“Do të nevojitet të punojmë më shumë së bashku për të krijuar bindjen se pasi efektivët e policisë kanë përdorur forcën, e sidomos forcën vdekjeprurëse, do të ketë hetime të plota mbi ngjarje që kanë indinjuar opinionin publik dhe se drejtësia do të vihet në vend”, tha Obama.
Komentet e Obamës vijnë në vazhdën e vrasjeve më të fundit të afro-amerikanëve, ato të regjistruara në Louisiana e Minnesota, si dhe sulmin hakmarrës me snajperë që i kushtoi jetën 5 policëve në Dallas të Teksasit, autori i të cilit, një ish-pjesëtar i forcave ushtarake, veproi pikërisht duke kërkuar shpagim për vdekjet e personave me ngjyrë në duart e efektivëve të policisë.
Ndërkohë, departamenti i policisë së Fresno-s, në Kaliforni, bëri publike pamjet e marra nga kamera e instaluar në trupin e një oficeri të përfshirë në vrasjen e 19 vjeçarit, Dylan Noble, në 25 qershor. Videoja tregon sesi Noble i injoron në mënyrë të vazhduar thirrjet për të ndaluar e për të treguar duart përpara se policët të qëllonin mbi të.
Top Channel