Vetëvritet polici në shtëpi, Sindikata: S’ka vlerësime për gjendjen psikologjike

12/07/2016 00:00

Një punonjës policie i dha fund jetës, duke u vetëvrarë me armën e shërbimit në banesën e tij. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit të kësaj të marte, në fshatin Pezë të kryeqytetit, në banesën e efektivit Etland Kola.

39-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ishte punonjës në Komisariatin nr. 2 të Policisë së Tiranës. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe familjarë të tij të cilët janë marrë në pyetje, ndërsa praprakisht dyshohet se gjendja e rënduar ekonomike mund të jetë bërë shkak për ndërmarrjen e aktit të rëndë.

Tri javë më parë, një tjetër efektiv policie në Tiranë tentoi të vriste veten me armën e shërbimit, duke u plagosur rëndë në kraharor. Për specialistët, traumat në radhët e policisë mund të jenë të rënda, por mungojnë studimet për trajtimin posttraumatik të tyre.

“Problemet posttraumatike janë të dukshme në Policinë e Shtetit dhe kapin një shifër relativisht të lartë. Ne shohim që të gjitha institucionet shëndetësore në Shqipëri janë indiferente, sikurse edhe brenda strukturave të policisë, ndërsa nuk ekziston asnjë studim që të merret me këtë çështje. Në rastin konkret, sëmundjet posttraumatike për shkak të stresit dhe arritjes deri në vetëvrasje, janë shtuar. Kemi edhe shumë raste të tjera të evidentuara në Policinë e Shtetit, kur punonjësit e policisë nuk e kanë përballuar dot ngarkesën psikike”, thotë Sadetin Fishta, kryetar i Sinditakës së Policisë.

Aktualisht, një trajtim psikologjik të specializuar përfitojnë vetëm forcat speciale të RENEA-s.

Top Channel