Importi i mbetjeve, AKIP: Kuvendi të mos e miratojë, ndryshe…

12/07/2016 00:00

Aleanca Kundër Importit të Plehrave shprehu shqetësimin se drafti i propozuar nga 3 deputetë të Partisë Socialiste për lejimin e importit të mbejteve është futur në rend dite në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion për ta miratuar atë pa vëmendjen që meriton kjo çështje.

Sipas tyre, në ditën kur Parlamenti do të diskutojë një sërë ligjesh, përfshirë amendimet e Kushtetutës, do të shqyrtohet edhe ky draft. Projektligji, sipas tyre, përbën të njëjtin rrezik si ai i shfuqizuar në 2013 dhe argumenti se sot ka mekanizma më të fuqishëm kontrolli nuk qëndron.

Shoqëria civile i kërkoi Parlamentit që të ndërpresë menjëherë diskutimet për këtë draft, i cili sipas tyre do ta shndërrojë Shqipërinë në një kosh mbeturinash.

“Kuvendi i Shqipërisë të ndërpresë menjëherë diskutimet për projektligjin e propozuar dhe ta heqë atë nga rendi i ditës, për votim më 21 korrik 2016. AKIP bën gjithashtu të ditur se në rast se Kuvendi i Shqipërisë guxon të vazhdojë me procedurat për miratimin e të miratojë në mënyrë tinëzare lejimin e plehrave, veç rinisjes së protestave popullore do të kërkojë riaktivizimin e procedurave për ndalimin e importit të plehrave me referendum”, deklaroi kreu i AKIP, Lavdosh Ferrunaj.

Top Channel