Panariti në SHBA, takime për nxitjen e bujqësisë shqiptare

11/07/2016 00:00

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti zhvilloi një takim me ish-kongresmenin Mike Sodrel, gjatë të cilit vlerësoi interesimin e tij në mbështetjen dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

Panariti e informoi ish-kongresmenin për politikat e ndërmarra nga dikasteri që drejton dhe për projektet të cilat do t’i adresohen në ditët në vijim, në takimet e planifikuara në Departamentin e Shtetit.

Nga ana e tij, zoti Sodrel shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër mundësinë që ofron sektori bujqësor, si një ndër sektorët prioritarë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Një tjetër prioritet i vizitës së ministrit të Bujqësisë në Shtetet e Bashkuara është ngritja e një laboratori analizash bashkëkohor, që do të plotësojë kërkesat në rritje të fermerëve për të kontrolluar prodhimet e tyre.

Për këtë arsye, Panariti zhvilloi një takim me zv/presidentin e kompanisë “Abraxis”, David Deardorff, një nga më prestigjiozet në fushën e kërkimit shkencor dhe analizave laboratorike të prodhimeve ushqimore.

Ministri kërkoi asistencën e kësaj kompanie dhe pajisjen me kitet për analizat e tipit “pre-screening’’, të cilat përbëjnë gjeneratën e fundit të zhvillimit teknologjik amerikan në zbulimin e ndotësve, pesticideve ose insekticideve në prodhimet me  origjinë bujqësore dhe shtazore.

Top Channel