Britani, Angela Eagle e sfidon sërish kreun e laburistëve Jeremy Corbin

10/07/2016 00:00

Partia Laburiste në opozitë përgatitet për një betejë të ashpër lidershipi, pasi udhëheqësi aktual Jeremy Corbyn refuzon t’u dorëzohet presioneve për largim nga posti. Corbyn e bëri të qartë se nuk do të dorëhiqet pas votës së britanikëve për largimin nga Bashkimi Europian, edhe pse u braktis nga një pjesë e mirë e ekipit të tij politikbërës, të cilët paraqitën edhe një mocion mosbesimi.

Ligjvënësja laburiste Angela Eagle deklaroi se, të hënën do të nisë zyrtarisht përpjekjen e zëvendësimit të Corbyn në krye të partisë, me argumentin se ka dështuar t’i drejtojë ligjvënësit laburistë si një grupim i organizuar dhe efikas në kërkesën e llogarisë ndaj ekzekutivit. Vet Corbyn i tha BBC-së se ndihej i zhgënjyer nga kjo sfidë, por këmbënguli se mandati i shumicës që e vendosi në këtë pozicion justifikon qëndrimin e tij.

“Epo jam i zhgënjyer, këtë nuk e fsheh, por është e qartë se ajo mund të bëjë çfarë të dëshirojë. Kemi punuar bashkë në qeverinë hije këto 6 muajt e fundit, ose 9 muaj më saktë. Ky ishte rasti kur mund të kishim ushtruar një presion të jashtëzakonshëm mbi qeverinë konservatore”, tha Jeremy Corbyn, kreu i Partisë Laburiste në Britani.

67-vjeçari iu bëri gjithashtu thirrje ligjvënësve laburistë të rebeluar ndaj tij, që t’i mendojnë edhe një herë veprimet e tyre, e shtoi se emri i tij do të jetë në fletën e votimit për lidership, edhe pse shumë politikanë laburistë e kanë vënë në dyshim një gjë të tillë.

Top Channel