
Përfaqësuesit e NATO-s çelën ditën e dytë të bisedimeve të nivelit të lartë në Varshavë, ku rendi i ditës ndryshe nga një ditë më parë është Afganistani.
Pas 15 vitesh konflikti dhe asnjë shenjë paqeje, anëtarët e aleancës do te konfirmojnë mbështetjen e tyre për qeverinë e Kabulit.
Ndërkohë, Rusia ka reaguar ashpër ndaj vendimit për 4000 trupat që do vendosen në kufi në katër vendet Baltike. Në ditën e parë të Samitit përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ata të Aleancës së Atlantikut të Veriut theksuan se kërcënimi ndaj një anëtari, do të konsiderohej si një kërcënim për të gjithë Aleancën.
Aleanca 28-kombëshe pritet të vendosë katër batalione me 4,000 trupa ushtarake në shtetet baltike dhe në Poloninë lindore për t’i garantuar qetësi vendeve anëtare lindore të NATO-s.
Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë kërkuar një prani të përhershme të Aleancës. Ndërsa media ruse, “Russia Today” e ka komentuar Samitin si krejtësisht të fokusuar në pjesën ushtarake, ndërkohë që liderët e NATO-s theksuan se nuk duan të nisin luftën e dytë të ftohtë, por kërkojnë të rifitojnë dialogun me Moskën.
“Russian Today” nënkupton se kërcënimi nga NATO për Rusinë ka nisur, duke cituar se sistemi balistik raketor i Aleancës, tani është funksional në Europë. Por duke nisur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e deri te kancelarja Angela Merkel, iu vu theksi strukturimit të dialogut me Rusinë.
“Gjermania do të kontribuojë në Lituani së bashku me Norvegjinë, Francën dhe vendet e Beneluksit. Vendi ynë do të fokusohet në dialog për të ndërtuar një raport konstruktiv ndërmjet Rusisë dhe NATO-s”, tha Merkel.
Top Channel