Apeli lë në fuqi masën “arrest shtëpie” për Elvis Rroshin

04/07/2016 13:20

Gjykata e Apelit ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i akuzuar për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizmin.

Pranë Gjykatës së Apelit kishin bërë ankim si prokuroria, e cila kërkonte rikthimin në burg të Rroshit, ashtu edhe vetë i pandehuri, i cili kërkonte të mos kishte asnjë masë sigurise.

Përfaqësuesi i prokurorisë, duke kërkuar mbajtjen e Rroshit në paraburgim, e cilësoi atë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi dyshohet se ka kryer vepra të rënda penale jashtë vendit, të cilat nuk i ka deklaruar në formular dhe se mund të prishë provat. Ndërsa avokati mbrojtës i Rroshit, në mungesë të klientit të tij, i cilësoi argumentet e prokurorisë të pabazuara në fakte dhe prova dhe kërkoi që ndaj Elvis Rroshit të mos vendoste asnjë lloj mase sigurie.

Përkundër kërkesave të palëve në këtë proces, Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit vendosi mesin e artë, duke e lënë Rroshin në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, siç kishte vendosur në fakt më parë edhe Gjykata e Shkallës së Parë. Edhe pas këtij vendimi të gjykatës, Elvis Rroshi “de jure” vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Kavajës, pavarësisht faktit nëse do të mund ta ushtrojë siç duhet detyrën, kur ka një masë shtrënguese që nuk e lejon të dalë nga banesa.

Top Channel