Kotzias: Çamët, jo të gjithë njësoj. Për “luftën” zgjidhje, të kënaqim Tiranën

06/06/2016 12:20

Takimet e shpeshta në Tirane, Athinë, Nju Jork e Bruksel mes Kotzias dhe Bushatit duket se nuk kanë qenë të pafrytshme. Për herë të parë, Athina pranon se pretendimi i Tiranës për gjendjen e luftës mund të gjejë një zgjidhje konkrete nga pala greke.

“Greqia beson se, me deklaratën e Këshillit të Ministrave të vitit 1987, ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Nëse ekzistojnë nga pala tjetër dyshime, nëse jemi apo nuk jemi në luftë, do të jetë objekt i një diskutimi që do të zhvillohet dhe do të gjejmë të dyja palët një përgjigje të kënaqshme për të”, tha Kotzias.

Gjithashtu, për herë të parë ministri i Jashtëm i Greqisë foli në terma konkrete për çështjen çame dhe për zgjidhjen e situatës në kuadër të integrimit europian. Për herë të parë nga Athina, çështja e bashkëpunimit me nazistët iu vesh numerikisht vetëm një numri të vogël çamësh.

“Është e ditur se kemi një grup shumë të madh çamësh që janë shqiptarë dhe jetojnë në Shqipëri. Dhe për këtë gjë, unë uroj që ky grup të ketë perspektivë dhe të kenë dhe ata fitimet nga integrimi i Shqipërisë në BE. Jane disa çamë të vjetër, të krishterë të myslimanizuar të 1911-s, të cilët sot janë qytetarë grekë, shtetas grekë. Ekzistojnë edhe disa çamë, të cilët bashkëpunuan me pushtuesin gjerman dhe kishin bërë pikërisht ato komisionet e kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive të popullsisë tjetër që mbetej në zonat e Epirit, të cilët u dënuan nga gjykatat greke në bazë të ligjit grek dhe të ligjeve ndërkombëtare”, deklaroi më tej Kotzias.

Për këtë kategori të vogël bashkëpunëtorësh me nazistët, sipas Kotzias, nderi u është bërë i madh fill që pas luftës.

“Dhe në ndryshim me njerëz të tjerë që jepnin llogari në Europë, u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan”, u shpreh Kotzias.

Por sipas tij, Athina nuk vendos barazinë mes tyre dhe familjarëve të tyre, që tashmë jetojnë në Shqipëri.

“Unë mendoj se duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë, se nuk nënkuptojnë asnjë grup qytetarësh shqiptarë dhe sigurisht nuk nënkuptojnë Shqipërinë. E them këtë sepse duan të bëjnë të njëjtë bashkëpunëtorët e nazizmit me një grup shqiptarësh që jetonin gjithmonë në Shqipëri dhe nuk kanë jetuar asnjëherë në Greqi, dhe më pas këta t’i bëjnë njësoj me të gjithë shqiptarët”, tha ministri i Jashtëm grek.

Pra problemi çam mbetet. Lajmi është se, tashmë ai ekziston edhe për palën greke, por sipas mënyrës së saj.

“Nën këtë prizëm, ne themi që për ne nuk ekziston problemi me mënyrën që e përballon shteti fqinj. Ne kemi një përqasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e historisë”, përmbylli Kotzias.

Bushati mes dy zjarresh, replikë me Kotzias dhe debat me Idrizin jashtë ministrisë

“Nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale, dhe Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial ndaj Greqisë, por qasja jonë kur flasim për këtë çështje ka të bëjë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të kësaj popullsie çame, të pasardhësve të tyre. Kur flasim për bazimin tek e drejta nuk flasim për përgjegjësitë kolektive, apo dënimet kolektive mbi çfarëdolloj bazash qofshin këto, por për qetësi individuale dhe për respekt të plotë të të drejtës së pronës, të lirisë së lëvizjes”, tha Bushati.

Por përveç qëndrimit të Kotzias, ministrit të Jashtëm shqiptar i është dashur të përballet paraditen e së hënës edhe me reagimet e ashpra të përfaqësuesve çamë. Protesta e tyre para Ministrisë, e mbështetur edhe nga Shpëtim Idrizi, bëri që ai të shkonte dhe të takohej edhe me ta.

“Imagjinoni njerëz që nuk po lënë dot të tjerët që të shohin edhe vatrat e tyre, të gëzojnë frutet e lirisë, të gëzojnë frutet e marrëveshjes që ne kemi me Bashkimin Europian për lëvizjen e lirë të njerëzve, atëherë për çfarë shteti demokratik jemi duke folur ne sot? Kur kanë frikë ende nga pleqtë 84-vjeçarë të Çamërisë”, tha Idrizi.

Qeveria e Tiranës ka mbajtur një qëndrim të ri ndaj çështjes çame pas vitit 2013. Qëndrimi që jo rrallë është quajtur agresiv nga Athina, tashmë ka edhe një element të fortë politik. Shpëtim Idrizi dhe partia e tij është edhe aleat i rëndësishëm i qeverisë së qendrës së majtë.

Top Channel