Edhe pse i larguar që në fëmijëri nga Shqipëria, kujtimet muzikore të Gjakovës dhe Elbasanit, për violinistin virtuoz Shkëlzen Doli janë shumë të prekshme.

Ai i mbledh bashkë këto tinguj kryesisht të muzikës popullore shqiptare dhe i interpreton me skrupolozitet, ndjeshmëri dhe punë të madhe nga pas.

“Do të jetë një koncert pak a shumë nostalgjie për fëmijërinë time, me këngët e vallet e bukura shqiptare me të cilat unë jam rritur”, shprehet violinisti Shkëlzen Doli.

Së bashku me Ansamblin Popullor skena e TOB do të mirëpresë këtë të shtunë një larmishmëri trevash së bashku me traditën e tyre muzikore.

“Ne në Gjakovë jemi rritur me këto melodi, me melodinë e Isuf Myzyrit, të Shqipërisë së Mesme, shkodrane, jug pastaj. Do të luajë kaba korçare, potpuri shkodrane ”, thotë Doli.

Koncerti me perlat e muzikës popullore shqiptare është i përpunuar për violinë dhe orkestër nga Gerti Druga. Ndërkohë që rikthimet e herëpashershme në Tiranë nga jeta e pasur artistike e Vjenës për Shkëlzen Dolin kanë një arsye të fortë.

“Këto janë njerëzit më të dashur. Është një diferencë e madhe”, shprehet violinisti.

Top Channel