Beyonce e Lindjes së Mesme

28/05/2016 00:00

E pagëzuar si Beyonce kurde, me flokë të gjatë të kuq e shikimin e një luaneshe, Helly Luv është kthyer në një yll të vërtetë në Kurdistanin irakian. Ajo u bë e famshme në vitin 2013 pas publikimit të këngës “Risk It All“ dhe më pas aktroi në filmin Peshmerga, i prezantuar në edicionin e fundit të Festivalit të Kanës.

Por ikona e Lindjes së Mesme është tani në krye të listës së armiqve të ISIS-it. Mbështetësit e grupit xhihadist shkruajnë në rrjetet sociale se Helly është një fyerje për të gjitha gratë. Në të vërtetë, ajo çka shqetëson më shumë Shtetin Islamik është mbështetja që këngëtarja u ofron luftëtarëve peshmerga, të përfshirë në betejat kundër militantëve të kalifatit në shumë fronte në Siri dhe Irak.

Në videoklipin e këngës së saj të fundit “Revolution“, mes njerëzve të dëshpëruar e të frikësuar, nënave që përpiqen më kot të rikthejnë në jetë djemtë e tyre, shfaqet ajo, heroina e armatosur e gatshme për t’i shpëtuar. Tekstet e këngëve të saj janë një himn i vërtetë kundër kalifatit.

“Ngrihuni në këmbë, jemi të bashkuar dhe së bashku mund të mbijetojmë. Ky është një revolucion, le të vazhdojmë luftën“, thotë këngëtarja kurde e muzikës pop, duke iu referuar betejës kundër xhihadistëve. Objektivi i këngës së saj të fundit, siç shpjegon vetë Luv, është inkurajimi i kurdëve në luftën e tyre për rezistencë.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel