Sarandë, ekspert shkencor për rastin e gjyqtarit Doda

27/05/2016 14:45

Gjykata e Krimeve të Rënda do të dëgjojë një ekspert të policisë shkencore për llogari të procesit ndaj ish-gjyqtarit Rasim Doda.

Tahir Canaj, specialist i krimeve kompjuterike, sipas vendimit të gjykatës do të duhet të këqyrë sërish pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Gjykatën e Sarandës.

Kjo është vendosur pas pretendimeve të të pandehurit Doda se ai nuk ka asnjë prove filmike që vërteton se ai ka patur takim paraprak me një nga palët gjyqësore.

Avokatët e ish-gjyqtarit të akuzuar për korrupsion pasiv kërkuan të shfaqeshin të gjitha filmimet në seancë, pasi sipas tyre shtetasi Hasan Bushi, palë në proces ka zhvilluar takime me kryetarin e kësaj gjykate dhe jo me gjyqtarin e akuzuar.

Rasim Doda u arrestua pasi sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda i kishte kërkuar 80 milionë lekë shtetasit Bushi në këmbim të një vendimi, i cili i është treguar paraprakisht të interesuarit.

Por ndërsa Bushi nuk ka pranuar, prokuroria thotë se gjyqtari e ka dhënë vendimin në interes të palës tjetër.

Top Channel