PD: Rroshi gënjeu; Kryebashkiaku i Kavajës tregon korrespondencën me policinë gjermane

27/05/2016 00:00

Partia Demokratike thotë se, dokumenti penal i pastër që mori nga Gjermania nuk i përket kryetarit të Bashkisë së Kavajës, por është një identitet i sajuar për të fshehur të vërtetën, përpara se ai të ndërronte emrin në 2002-shin nga Ervin në Elvis.

“Pra Rroshi i Ramës u thotë autoriteteve gjermane të japin të dhëna për Elvis Ervin Rroshin. Sigurisht, me këtë emër të sajuar atij nuk i del asgjë”.

Elvis Rroshi, këtë akuzë të re e quajti gallatë “SHQUP”-i, por në vend të përgjigjes së drejtpërdrejtë, ai publikoi disa dokumente gjermanisht, ku thuhet se në dëshminë penale jo të zgjeruar për Elvis Ervin Rroshi nuk rezultojnë të dhëna penale.

Megjithatë, Partia Demokratike, që po mbledh të dhëna edhe në shtete të tjera, nuk ka hequr dorë nga kërkesa publike për Prokurorinë.

“Prokuroria duhet të veprojë me shpejtësi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, për të verifikuar fshehjen e të dhënave dhe truket e manipulimet e tjera, që ky dhe të tjerë të zgjedhur të Edi Ramës po përdorin për të shmangur ligjin”.

PS: Hetoni Flamur Nokën. Fshehu të dhënat në formularin e vetëdeklarimit

Për fshehje të dhënash, por për një deputet demokrat, foli edhe Partia Socialiste, sipas së cilës Flamur Noka duhet të lëshojë mandatin e deputetit për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit.

“I kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Adriatik Llalla, nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë rast. Nga ana tjetër, i kërkojmë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të thyejë heshtjen dhe të shprehet publikisht e zyrtarisht për rastin e deputetit Flamur Noka”.

Lulzim Basha foli, por edhe ai pa një përgjigje të drejtpërdrejtë. Siç thotë vet, në vend të replikës zgjodhi t’i kujtojë Alfred Pezës si ka dalë kundër studentëve në Shkollën e Bashkuar për rrëzimin e diktaturës.

Debati për përgjimet, Noka: Media italine konfirmon skandalin

Vet Flamur Noka ka heshtur deri tani për akuzën e socialistëve, por jo për denoncimin e qeverisë për çështjen e pajisjes së përgjimeve, duke marrë shkas edhe nga një shkrim në një të përditshme italiane.

“Megjithëse çështja po ndërkombëtarizohet, sërish Rama nuk jep asnjë shpjegim para opinionit publik, përse u fut paisja në mënyrë të paligjshme, përse u përdor pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kush e përdori, kush u përgjua”.

Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë e të pandikuar dhe për këtë lipset largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit.

Top Channel