Dy të arrestuar në Fier për gjobëvënie dhe trafik droge

27/05/2016 00:00

Dy persona janë vënë në pranga në sajë të operacionit të koduar “Bashkëpunimi” për trafik të lëndëve narkotike dhe gjobëvënie. Njëri prej të arrestuarve është vëllai i Lul Cakës.

Personat e arrestuar janë shtetasit Julian  Caka, 41 vjeç, lindur ne Stamaticë, Berat dhe banues në fshatin Koçaj, Lushnjë, i dënuar më parë për vrasje, si dhe Gentian Kica, 39 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Personi i shpallur në kërkim është shtetasi Kelmend  Kastrati, 31 vjeç lindur e banues në Fier, shënjestra e atentatit tek Mulliri i Artë në Fier; ndodhur me 8 janar 2016.

Sipas policisë, këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë marrë me  trafikim të lëndëve narkotike dhe për ketë arsye kanë shtrënguar për dhënie pasurie duke i vënë gjobë 20.000 euro shtetasin A.B.

Gjatë zhvillimit të hetimit me metoda speciale, u bë e mundur sigurimi provave materiale, sekuestrimi i 12 aparateve telefonik celular dhe disa pamjeve filmike.

Materialet iu referuan Prokurorisë për Krimet e Renda Tirane për kryerjen e  veprave penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Sigurimi i kushteve e mjeteve për vrasje”.

Top Channel