Durrës, djali pranon vrasjen e babait: Dhunonte nënën

27/05/2016 11:20

Shtetasi Arban Djaloshi ka pranuar para prokurorit të çështjes se është autori i vrasjes së babait të tij, Mirosh Djaloshi, ngjarje e ndodhur në 18 mars 2016 në zonën e Manzës, në Durrës.

Autori i dyshuar ka deklaruar se e ka kryer vrasjen, duke e goditur me sende të forta, për shkak se viktima ishte i alkolizuar dhe keqtrajtonte nënën e tij.

Dy ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë së Durrësit u ndaluan tre anëtarët e familjes Djaloshi, konkretisht bashkëshortja dhe dy djemtë e viktimës.

Prokuroria e Durrësit krijoi dyshime se autori i vrasjes së Miroshit gjendej mes familjarëve, pistë që u forcua nga fakti se gjatë veprimeve hetimore rezultoi se viktima nuk kishte probleme me persona jashtë familjes.

Ndërsa brenda familjes anëtarët kishin konflikte të vazhdueshme për shkak se Mirosh Djaloshi shkonte shpesh në shtëpi në gjendje të dehur. Dinamika e ngjarjes, e zbardhur tashmë nga Prokuroria e Durrësit, është e tillë:

“Më datë 18.03.2016, ora 07.00, në fshatin Shkallë, në rrugën që të çon për në hyrje të oborrit të banesës, është gjetur i vrarë shtetasi Mirosh Djaloshi. Viktima është gjetur i shtrirë në tokë, pranë portës kryesore të oborrit të baneses së tij, rreth orës 05.45 nga djali i tij Arban Djaloshi. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka dy dëmtime në pjesën e kafkës dhe se koha e vdekjes së tij ka qenë rreth 10 orë nga koha e kryerjes së këqyrjes së kufomës”.

Top Channel