Kuvend, Patozi: Rama veshi me kostum kriminelët; Mediu, kritika për “pronat”

26/05/2016 00:00

Në seancën e sotme parlamentare, deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi ka deklaruar se prania e elementëve të inkriminuar në Kuvend është e papranueshme.

“Kemi arritur në një pikë ku në këtë Parlament kanë ardhur njerëz përgjegjës për krime rrënqethëse”, ka thënë Patozi, i cili ka folur për trafikantë, vrasës dhe hajdutë të shtëpive.

Sipas Patozit, bilanci i parë i ligjit të dekriminalizimit dhe është vërtet tronditës, “ende pa u kryer një hetim që mund ta thellojë rezultatin”.

“Të dënuar për trafiqe kanë veshur kostume dhe drejtojnë bashkitë e vendit. Kryeministri është kampion i kërkimit me qiri i kontigjentëve kriminalë”, ka thënë Patozi, i cili ka komentuar edhe ngjarjet e fundit të verifikuara në vend.

“Ajo që ka bërë Shukriu është e pakrahasueshme me krimet e disave që drejtojnë bashkitë. Por këtu dënohen vetëm ata që dalin në televizor. Kjo është Shqipëria sot”, ka deklaruar më tej deputeti demokrat.

Sipas tij, nga kjo situatë mund të dilet vetëm përmes një reflektimi të thellë të klasës politike dhe jo lidhjes së saj me bandat.

“Duhet një reformë e plotë kushtetuese që të nisë me ligjin e ri elektoral. Le të ulemi që sot për një kontratë të re sociale, sepse ndryshe nuk zbutet tranzicioni i këtij vendi. Le ta fillojmë me zgjedhjet. Le të shkojmë vitin e ardhshëm në zgjedhje parlamentare, por edhe për pushtetin vendor”, ka sugjeruar Patozi, i cili megjithatë është shprehur skeptik për pranimin e kërkesave të tij.

Mediu: Ligji i ri favorizon pronarët e paligjshëm

Duke marrë fjalën në Parlament, kryetari i PR, Fatmir Mediu ka kritikuar ashpër qeverinë për ligjin e pronave, i cili sipas tij favorizon paligjshmërinë.

“Miratuat një ligj pronash leninist, duke u marrë pronat pronarëve të ligjshëm”, ka thënë Mediu, duke shtuar se për interesa elektorale pronat u kanë kaluar pronarëve fiktivë.

“I persekutuat pronarët dhe u mohuat të drejtën e zhvillimit të ekonomisë së tyre. U legalizua vjedhja e pronës dhe tani doni të zgjasni afatin pasi kërkoni të bëni pronarë me zorr ata që nuk janë pronarë”, ka vijuar Mediu duke iu drejtuar mazhorancës.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Rama se, “kemi bërë një ligj për pronën që është pragmatist”, Mediu ka shtuar se bëhet fjalë për një ligj tërësisht pa standarde.

“Pra, një pragmatizëm politik. Jemi i vetmi vend ku nuk ka investime të qenësishme për shkak të konfliktit të pronave dhe kemi 8 mijë viktima për shkak të këtij problemi. Gjithashtu jemi i vetmi vend ku kryetari i bashkisë rrethon gjykatën për interesa klienteliste”, ka shtuar Mediu.

Top Channel