Vrasësit e Çiços në male, RENEA operacion kërkimi në Tepelenë

25/05/2016 00:00

Vrasësit e Elton Çiços të shpallur në kërkim, Jani Alia dhe Renato Milloshi, dyshohet të jënë fshehur në malësitë e Tepelenës.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore që paraqesin këta persona, mësohet se një grup i forcave speciale RENEA është dërguar në këtë zonë dhe është vënë në ndjekje të tyre.

Po ashtu, pas publikimit të fotove dhe vendosjes së një shpërblimi prej 500 mijë lekësh, në policinë e Tiranës ka patur disa telefonata të cilat janë verifikuar, por pa sukses.

Por krahas këtyre të fundit, jozyrtarisht thuhet se policia është në kërkim edhe të 2 personave të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, por që dyshohen se ashtu si Renato Milloshi kanë ndihmuar Jani Alian për t’u larguar pas ekzekutimit në lokalin pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Konfliktet e hershme të viktimës me Jani Alian, i cili i ka shpëtuar dy atentateve në Tiranë dhe Gjirokastër, dyshohet të jetë arsyeja kryesore e vrasjes së 1 majit.

Po ashtu dyshohet se Elton Çiço ka qenë në konflikt edhe me Renato Milloshin, djalin e ish-kryetarit të ndjerë të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, për prishjen e pazareve të drogës.

Ndërkohë, në lidhje me vrasjen e Elton Çiços aktualisht janë në burg polici Alban Trimi dhe mjeku Redjan Rraja, të cilët ishin në tavolinë në momentin e ngjarjes dhe akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, pasi dyshohet se kanë fshehur pistoletën dhe celularët e viktimës.

Top Channel