Kurbin, grabisin me armë një banesë; arrestohen 3 persona

24/05/2016 19:35

Tre persona të cilët kanë vjedhur gjatë natës nën kërcënimin e armës një banesë janë arrestuar nga Policia e Kurbinit.

Mëngjesin e së martës, rreth orës 02.30, Komisariati i Policisë Kurbin ka marrë njoftim se në vendin e quajtur “Fushë Milot” është vjedhur nën kërcënimin e armës banesa e shtetases F.N. Autorët kanë hyrë në banesë nga një dritare, pasi e kanë thyer atë me mjete rrethanore. Shtetasja F.N. është gjendur përballë me autorët, njëri prej të cilëve mbante në dorë një armë automatike. Nga verifikimet rezulton se janë vjedhur një televizor plazma 32 polsh si dhe dy “smartphone”. Pas analizës së informacionit për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasve Klodian dhe Serxhio Kola, banues në Lagja nr. 4 të qytetit të Laçit, ku u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provave materiale sendet e vjedhura në banesën e shtetases F.N.

Gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit e kalibrit 9 mm që autorët kanë përdorur në kryerjen e veprës penale si dhe një krehër me 10 copë fishekë të kalibrit 9mm. Në banesën e këtyre shtetasve është kapur gjithashtu edhe shtetasja Brunilda Brozi (Daçi), e shpallur në kërkim më datë 16.05.2016 për vjedhjen e banesës së bashkëshortit të saj B.B. Kjo shtetase akuzohet për vjedhjen e disa bizhuterive si dhe të një shumë të konsiderueshme parash, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit Serxhio Kola.

Kjo shtetase dyshohet të jetë bashkëpunëtore në vjedhjen e banesës së shtetases F.N., pasi rezulton të jetë e mbesa e shtetases së dëmtuar. Në lidhje me ngjarjen u bë dokumentimi i plotë i provave dhe u ekzekutua arrestimi në flagrancë i shtetasve: Klodian Kola, 25 vjeç, banues në Laç, i dënuar më parë për vjedhje; Serxhio Kola, 20 vjeç, banues në Laç, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje; Brunilda Brozi (Daçi), 24 vjeç, banuese në Fushë Milot të Rrethit Kurbin.

Top Channel