Aksident në unazën e Durrësit, humbin jetën 2 të rinj

21/05/2016 00:00

Dy persona kanë humbur jetën në një aksident rrugor që ndodhi mëngjesin e sotëm në unazën e qytetit të Durrësit.

Aksidenti u regjistrua në afërsi të mbikalimit Plepa-Shkozet, ku automjeti tip “Peugeot” me targë “TR 4863 R” doli nga rruga pas përplasjes me barrierat anësore të saj.

Policia lokale bëri të ditur paraprakisht se në automjet ndodheshin gjashtë të rinj dhe si pasojë e përplasjes njëri prej tyre gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa një tjetër humbi jetën në spital.

Katër të tjerët mbetën të plagosur dhe sipas burimeve 3 prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njëri në gjendje më të rëndë. Personat e dëmtuar në aksident janë banorë të zonës së Nish-Tullës, në Shkozet të Durrësit.

E ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, nga veprimet e para rezulton se automjeti po lëvizte me shpejtësi teksa është futur në një kthesë të fortë të këtij aksi, ku investimi në rrugë nuk është shoqëruar me sinjalistikën paralajmëruese.

Viktimat e aksidentit janë:
A.S, 37 vjeç, banues në Shkozet;
V.M, 25 vjeç, banues në Shkozet.

Të lënduarit janë:
K.K, 19 vjeç, banues në Shkozet;
B.D, 29 vjeç, banues në Shkozet;
O.Sh, 30 vjeç, banues në Shkozet;
A.B, 25 vjeç, banues në Tiranë.

Top Channel