Kosovë, 10 vite burg për bashkëpunëtorin e Lavdrim Muhaxherit

20/05/2016 00:00

Gjykata Themelore e Ferizajt ka dënuar me 10 vite burg imamin Zekirja Qazimi, i cili akuzohej për rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes e përçarjes kombëtare, racore apo etnike.

Bashkë me ish-imamin e xhamisë “El Kuddus” në Gjilan, gjykata dënoi edhe 6 të dyshuar të tjerë për vepra që lidhen me terrorizmin.

Sipas komunikatës për media, të lëshuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt, i dyshuari tjetër Ilir Berisha është dënuar me 8 vite burg, për veprat “rekrutim për terrorizëm” dhe “organizimi e pjesëmarrja në grup terrorist”.

Për të njëjtat vepra penale janë dënuar me burg edhe Sadat Topojani, me 7 vite e 6 muaj; Burim Ballazi, me 4 vite e 6 muaj; J.K. me 4 vite burg; L.K. me 3 vite dhe I.K. me 5 vite burg.

Ndaj imamit Qazimi dhe 6 të tjerëve, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në janar të vitit 2015, ndërsa të pandehurit janë arrestuar gjatë vitit 2014.

Ish-imami Zekirja Qazimi dyshohet se ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Lavdrim Muhaxherit dhe Ridvan Haqifit, udhëheqësve të shqiptarëve në ISIS.

Qazimi dyshohet se ka rekrutuar xhihadistë për grupet terroriste ISIS dhe al-Nusra, dhe si ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit përmes ligjëratave të tij publike.

Top Channel