Rrëshqitje masive dheu në Sri Lanka, qindra të zhdukur

18/05/2016 00:00

Ekipet e shpëtimit në Sri Lanka kanë nisur detyrën e zymtë të kërkimit për më shumë se 200 familje të zhdukura, pas një rrëshqitjeje masive dheu në zonën e izoluar Aranajake.

Kryqi i Kuq bëri me dije se rrëshqitja e dheut, që pasoi 3 ditë me reshje të dendura, mbuloi 3 fshatra në këmbët e kodrave në zonë. Zëdhënës të Kryqit të Kuq thanë se, bazuar në dosjet e qeverisë, atje duhet të jenë 220 familje, megjithëse autoritetet nuk i kanë konfirmuar këto shifra.

Zyrtarë lokalë thanë se, në zonën në fjalë ishin gjetur 15 trupa, ndërsa në rang kombëtar, për shkak të përmbytjeve kanë humbur jetën 27 persona të tjerë. Ata thanë se, operacionet e shpëtimit janë tejet të vështira, për shkak se zona e përfshirë nga rrëshqitja e dheut është e izoluar mes maleve.

Mësohet se ekipet e para të shpëtimit, që kanë mbërritur në zonë, po gërmojnë mes baltës dhe gurëve me duar e mjete rrethanore, pasi pajisjet e rënda e kanë thuasje të pamundur të shkojnë atje.

Kryqi i Kuq bëri me dije se brenda një nate, në zonat e përmbytura ranë 10 cm shi dhe disa fshatra janë evakuuar, pasi autoritetet druhen për rrëshqitje të tjera dheu. Ndërkohë, për shkak të përmbytjeve në rang kombëtar, mbi 140 mijë njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në qendra emergjence.

Top Channel