Raportet me Cameron, Trump: Zor se do të jenë të mira

17/05/2016 00:00

Pretendenti republikan për kandidaturën presidenciale, Donald Trump, paralajmëroi se mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me David Cameron.

Trump reagoi kështu ndaj komenteve të Cameron që e cilësoi deklaratën e kandidatit republikan për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA si idiote, ndarëse dhe të gabuar.

Në një intervistë për një program britanik, Trump gjithashtu tha se nuk do të harrojë komentet shumë negative të kreybashkiakut të Londrës Sadiq Khan, i cili tha se Trump është injorant. Zëdhënësit e dy politikanëve thanë se ata i qëndrojnë komenteve të tyre.

“Duket se nuk do të kemi një marrëdhënie shumë të mirë, por nuk i dihet. Unë dua të kem raporte të mira me të, por duket se ai nuk është i interesuar të adresojë këtë problem”, deklaroi Trump për David Cameron.

Trump gjithashtu rikonfirmoi pikëpamjen e tij se mbështet largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Ndryshe nga Presidenti amerikan, Barack Obama, Trump tha se “Brexit” nuk ka pse dëmton pozicionin tregtar të Britanisë.

Në fakt, duke kundërshtuar deklaratat e Obamës, Trump tha se për të nuk ka asnjë ndryshim nëse Britania është në BE apo jo, dhe se kurrë nuk do të jetë në fund të radhës për të bërë tregti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel