Parajsë pa viza, Europa e kërcënuar nga lëvizja e lirë e turqve dhe refugjatët

17/05/2016 00:00

Interpoli ngre alarmin se, politikat që kufizojnë lëvizjen e refugjatëve i detyron këta të fundit që të shohin trafikantët, si shpresën e vetme për t’i çuar në destinacionet që ata kërkojnë.

Raporti më i fundit tregon se, 90% e udhëtimeve të fundit të parregullta, si pasojë e marrëveshjes BE-Turqi janë bërë nga trafikantët e qënieve njerëzore.

Sipas Interpolit, shifrat kanë të ngjarë të rriten, për shkak të masave aktuale më të rrepta për mbrojtjen e kufirit. Dëbimet nga Greqia, si dhe gardhet kufitare në Maqedoni, Hungari dhe Austri, me shumë gjasë do të detyrojnë gjithashtu njerëzit për të provuar rrugët alternative të kalimit të paligjshëm.

Por, marrëveshja e vizave me Turqinë mund të shtojë njëkohësisht edhe kërcënimin e sulmeve terroriste ndaj vendeve të BE-së. Ekstremistët, – sipas Komisionit Europian, – por edhe organizatat kriminale do të kërkojnë ta shfrytëzojnë situatën e të sigurojnë pasaporta turke në momentin që programi hyn në fuqi.

“Daily Telegraph” ka arritur të sigurojë një raport të ekzekutivit të bllokut, ku përmendet mundësia e “shtimit të lëvizjes së kriminelëve e terroristëve brenda zonës ‘Schengen’, të cilët mund të jenë qytetarë të Turqisë apo të huaj me bazë në atë vend”.

Top Channel