Marrëveshja për klimën, OKB: Po zbatohet

17/05/2016 00:00

Marrëveshja e Parisit për klimën e firmosur një vit më parë, duket se ka përmbushur pritshmëritë e rreth 2500 delegatëve nga mbarë bota, të cilët u mblodhën në Bon të Gjermanisë për herë të parë pas takimit në kryeqytetin francez.

Ata u mblodhën për të diskutuar ecurinë e objektivave përfshirë këtu angazhimin nga 200 vende të botës për të ulur emetimet e gazit të karbonit në vitin 2020 me qëllim të kufizojnë kështu rritjen e temperaturës mesatare globale më pak se 2 gradë celsius.

Shefja e ndryshimeve klimaterike në Kombet e Bashkuara, Christiana Figueres, u shpreh optimiste.

“Ne po përballemi me një situatë që vjen si pasojë e kombinimit të dy faktorëve, atij natyror -si fenomeni i ‘El Nino’- dhe dorës së njeriut që ka ndikuar në ndryshimet klimaterike. Krahas asaj që ne e kemi kuptuar se cilat janë kërcënimet reale të klimës, ajo që tani ka ndryshuar dinamikën është kthimi i marrëveshjes së Parisit në vepra. Ne tani kemi shumë mundësi të mira që na japin dorë për të menaxhuar ndryshimin e klimës”, u shpreh ajo.

Megjithatë, pavarësisht optimizmit të aktorëve të marrëveshjes së Parisit, agjencia amerikane e hapësirës, NASA, publikoi të dhënat se prilli i këtij viti, ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në historinë e matjes së temperaturave në 136 vitet e fundit duke paralajmëruar se ky trend do të vazhdojë.

Top Channel