Jolie: Fëmijët më japin dhurata për t’ua shpërndarë refugjatëve

17/05/2016 00:00

Ajo njihet për angazhimin e saj të vyer në favor të çështjeve të refugjatëve, e së fundi, kriza më e thellë që ka prekur Europën që prej Luftës së Dytë Botërore për shkak të luftës në rajonin e Lindjes së Mesme, e veçanërisht në Siri, e ka detyruar atë të jetë aktive në këtë fushë.

Vetëm pak ditë më parë, bashkëshortja e Brad Pitt deklaroi se, më shumë se 60 milionë njerëz, apo 1 në 122 të tillë janë zhvendosur në të gjithë botën, gjë që përbën edhe numrin më të lartë të 70 viteve të fundit.

Por këtë herë, aktorja e “Maleficent”, e cila ka edhe një funksion të sajin në agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, ka zbuluar se gjatë udhëtimit të fundit të saj për punë ka marrë me vete edhe disa dhurata, që fëmijët e saj ia kishin dhënë për t’ua lënë refugjatëve kur t’i takonte.

“Ata m’i mbushin çantat me gjëra të zakonshme dhe të pa ndonjë preferencë të veçantë”, tha gjatë një interviste për “Neësround”. “Ndonjëherë më duhet të udhëtoj dhe të shpërndaj disa prej gjërave më të pazakonta, si për shembull kafshë prej pellushi apo lodra të ndryshme”.

Angelina Jolie ka plot 6 fëmijë me bashkëshortin e saj aktor, Brad Pitt.

“Më të vegjlit e mi, si Vivienne, më ka dhënë një batanije dhe më tha që të gjeja dikë për t’ia dhënë. Ndonjëherë ata janë tepër praktikë në lidhje me ato që fusin në çanta. Sa më shumë rriten, aq më shumë e kuptojnë se çfarë duhet t’u japim njerëzve në nevojë”.

Ylli i kinemasë ka zbuluar gjithashtu se fëmijët e saj kanë filluar madje ta shoqërojnë nëpër udhëtime të ndryshme, që ajo ndërmerr në kampet e refugjatëve. “Nuk i kam detyruar kurrë ata. Ma kanë kërkuar diçka të tillë dhe, së fundi Pax dhe Shiloh kanë shprehur dëshirën për ta bërë”.

Angelina Jolie ka vizituar refugjatët në Liban dhe në Lindjen e Mesme gjatë muajit mars. Më shumë se një milion persona janë zhvendosur atje, për shkak se kanë dashur t’i largohen luftës në Sirinë fqinje.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel