Refugjatët, Jolie bën apel: Sistemi i kthimit nuk po funksionon. Mos kini frikë prej tyre

16/05/2016 00:00

Angelina Jolie, bashkëshortja e aktorit të njohur Brad Pitt dhe njëkohësisht e dërguara speciale e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, “UNHCR”, ka paralajmëruar se sistemi ndërkombëtar humanitar për refugjatët duket se po shkon drejt thyerjes.

Jolie ka folur gjatë një emisioni për BBC-në, gjatë të cilit u diskutuan dhe u mbuluan çështjet e migracionit global. Aktorja e famshme bëri thirrje kundër “frikës ndaj emigrantëve” dhe “garës për të qenë i fundit”, teksa vendet po përplasen me njëri-tjetrin se kush do të jetë më i forti për të mbrojtur kufijtë e vet përballë refugjatëve ilegalë.

Më herët, kreu i “UNHCR”-së tha se kriza e refugjatëve nuk është çështje që i përket një rajoni të vetëm, por një problematikë globale. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, tha gjithashtu për BBC-në se duke i kthyer emigrantët mbrapsht “nuk do të zgjidhet asgjë”.

Angeline Jolie tha më tej se, më shumë se 60 milionë njerëz, apo 1 në 122 të tillë janë të zhvendosur në të gjithë botën, gjë që përbën edhe numrin më të lartë të 70 viteve të fundit.

“Kjo na tregon neve diçka tepër shqetësuese në lidhje me paqen dhe sigurinë në botë”, tha Jolie, duke shtuar më tej se “Koha mesatare që i nevojitet tashmë një personi për t’u zhvendosur diku tjetër është afro 20 vite”.

Aktorja e Hollivudit shpjegoi më tej se “numri i lartë i konflikteve dhe shkalla e zhvendosjeve është rritur së tepërmi”, ndaj dhe sistemi për t’i mbrojtur dhe rikthyer ata mbrapsht nuk po funksionon më.

“Me këtë gjendje aktuale të botës, nuk do të ishte aspak surprizë që disa njerëz të dëshpëruar, të cilët i kanë provuar të gjitha opsionet dhe tashmë kanë mbetur pa shpresa nëse kthehen në shtëpitë e tyre, do të bënin edhe përpjekjen e fundit për të kaluar drejt Europës, edhe pse do t’u duhej të ndërmerrnin rrezikun e vdekjes në det”.

Megjithatë, sipas Jolie, Europa është “vetëm një fraksion i problemit global të refugjatëve”.

Top Channel