Kinë, 50-vjetori i Revolucionit Kulturor kalohet në heshtje

16/05/2016 00:00

E hëna e sotme shënon 50-vjetorin e nisjes së Revolucionit Kulturor, që e futi Kinën në një kaos prej rreth një dekade. Megjithatë, media shtetërore e ka pritur këtë datë me heshtje dhe asnjë trumbetim.

Më 16 maj të vitit 1966, ish-udhëheqësi komunist Mao Cedun nisi fushatën e ashpër të të eliminuarit të rivalëve të tij. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje të rinjve kinezë të “spastrojnë” shoqërinë. Vite të tëra gjakderdhjeje dhe trazirash pasuan këtë, deri sa gjithçka mori fund me vdekjen e Maos në vitin 1976.

E megjithatë, mënyra sesi duhet trajtuar trashëgimia e debatueshme e asaj periudhe ka mbetur ende një sfidë për regjimin aktual komunist të Kinës. Të hënën, mediet kryesore shtetërore thuajse nuk e përmendën fare këtë përvjetor, duke u fokusuar më së shumti në çështjet e detit të Kinës së Jugut dhe atyre të brendshme. Gjithashtu nuk ishte parashikuar asnjë shfaqje zyrtare nga autoritetet për ta shënuar këtë 50-vjetor, edhe pse të një ngjarjeje jopozitive.

Vetëm media e Hong Kongut, e cila gëzon më shumë liri sesa ato kineze, e mbuluan disi përvjetorin e kësaj date. Ajo periudhë është konsideruar nga shumica si një epokë kaotike e historisë së viteve të fundit të Kinës, por analistët thonë se ka ende nga ata që i festojnë idealet e majta të asaj epoke.

Top Channel